Haradinaj ka filluar konsultat me minoritetet për formimin e qeverisë

Haradinaj ka filluar konsultat me minoritetet për formimin e qeverisë

Kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se tashmë ka filluar konsultimet me minoritetet që jetojnë në Kosovë për të formuar qeverinë e re.

Përveç kësaj, Haradinaj ka thënë se do të konsultohet edhe me partitë e tjera të Kuvendit, ndërsa nuk ka mohuar se ka komunikim me individë të caktuar brenda partive.

“Është rregull që t’i afrohesh kur certifikohen rezultatet. Kur je i mandatuar është rregull ti afrohesh palëve për bisedë. Nëse te pala e parë, që në këtë rast mund të jetë LDK-ja, arrihet një marrëveshje, atëherë s’ka logjikë me vazhdu më konsultat, sepse është përmbush qëllimi i konsultave. Nëse jo vazhdon edhe me palë të tjera, përfshirë edhe VV-në”, ka thënë ai.

“Në të njëjtën kohë e kemi obligim kushtetues me u konsultu edhe me komunitetet në Kosovë, me ato jo serbe dhe serbët e Kosovës, gjë të cilën kam filluar me e bë që tani”, ka shtuar Haradinaj.

Në një intervistë për emisionin Komiteti të Gazetës Express, Haradinaj ka thënë se po takohet edhe me individë të caktuar brenda partive politike, përfshirë këtu edhe të LDK-së dhe VV-së.

“Unë në komunikim me ta, shumica e tyre më njohin në rrethana të caktuara. Ta zëmë nëse bisedoj me deputetë nga LDK, ata më njohin nga kampi i përbashkët, VLAN, ose i koalicionit me Presidentin Rugova. Më shumë kohë kam qenë në ekip me ta se sa palë e kundërt”, ka thënë Haradinaj.

“Kur takoj kolegë nga VV-ja njihemi prej opozitëbërjes dhe etapave të caktuara. Shumica nuk e kanë probleme komunikimin me mua, sepse jemi vend i vogël ne jemi miq”, ka shtuar ai.

KQZ ka përfunduar numërimin e votave me kush dhe pritet që së shpejti të certikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare./Insajderi.com