Haradinaj kërkon ditë zie për vdekjen e senatorit Bob Dole

Haradinaj kërkon ditë zie për vdekjen e senatorit Bob Dole

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që institucionet e Kosovës të shpallin ditë zie për vdekjen e senatorit Bob Dole.

Haradinaj këtë të mërkurën ka bërë homazhe te busti i Doles në Prishtinë.

“Përulje me respekt para veprës heroike të Senatorit Bob Dole. Propozoj që institucionet e Kosovës, të shpallin ditë zie në nderim të tij”, ka shkruar i pari i AAK-së në Facebook.

Bob Dole ka vdekur në moshën 98-vjeçare. Ai vdiq në gjumë, sipas një njoftimi nga Fondacioni Elizabeth Dole.

Dole ishte i diagnostifikuar me kancer në mushkëri në fazën e katërt.

Megjithatë, si politikan, Dole ishte një forcë kryesore në Partinë Republikane për tre dekada.

Dole mban rekordin si udhëheqësi republikan më jetëgjatë në Senat, post të cilin e mbajti për gati 11 vjet.

Në vitin 1990, Dole kishte udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë.

Busti i ish-senatorit Bob Dole në Prishtinë

Në gusht të vitit 2020, ishte përuruar busti i Dole në Prishtinë në shenjë falënderimi për kontributin e tij ndaj Kosovës.

Përmes një video-mesazhi, Dole kishte shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, pati thënë Dole./Insajderi.com