Haradinaj kërkon mbështetjen e “Heritage Foundation” për anëtarësim në UNESCO

Haradinaj kërkon mbështetjen e “Heritage Foundation” për anëtarësim në UNESCO

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar Ed Feulner, president nderi i “Heritage Foundation”, me të cilin ka biseduar për proceset zhvillimore në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Haradinaj ka theksuar rolin e qeverisë në bashkëpunimin konkret dhe të frytshëm me përfaqësuesit e shoqërisë civile, për avancimin e agjendës shtetformuese në Republikën e Kosovës.

“Shembulli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, është modeli më i mirë i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile në avancimin dhe zhvillimin demokratik të një vendi”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim është biseduar edhe për përkushtimin e institucioneve për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, me ç’rast kryeministri kërkoi mbështetjen e presidentit Feulner dhe të fondacionit që ai udhëheq për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si një hap tejet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Kosovën dhe kërkoi nga ai që ta shoh Kosovën si partner serioz në zhvillimin e shumë projekteve të interesit të përbashkët.

Ed Feulner, president nderi i “Heritage Foundation”, shprehu përkushtimin e tij për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.