Haradinaj komenton dorëheqjet brenda AAK-së

Haradinaj komenton dorëheqjet brenda AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar dorëheqjet e fundit brenda kësaj partie, duke thënë se ata që nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se AAK-ja gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës.

“Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale. Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, ka shkruar i pari i AAK-së.

Ai është shprehur i lumtur që partisë po i bashkohen emra të rinj, “të gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet”.

“Kjo garë, rezultatin e parë do ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Duke iu uruar sukses mijëra anëtarëve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët”.

Sot, e martë, nga pozita e nënkryetares së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga të gjitha funksionet në këtë parti ka dhënë dorëheqje Magbule Sadri – Shkodra./Insajderi.com