Haradinaj komenton thirrjen e Ambasadorit Kosnett për protesta kundër qeverisë

Haradinaj komenton thirrjen e Ambasadorit Kosnett për protesta kundër qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se “është në rregull” qëndrimi i Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, që qytetarët duhet të protestojnë ndaj vendimeve të qeverisë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës që u mbajt të premten, Haradinaj deklaroi se pajtohet që qytetarët duhet të protestojnë ndaj vendimeve të qeverisë, por ka thënë se ka plot mënyra për t’u protestuar.

“Sa i përket qëndrimit të ambasadorit të Amerikës, z.Kosnett, që Kosova të ballafaqohet me vetveten; pra me të metat e veta: edhe Qeveria edhe qytetarët. Që qytetarët të protestojnë, të reagojnë dhe kjo besoj që është në rregull. Ka plot mënyra për t’u protestuar kundër një procesi të caktuar apo zhvillimi të caktuar”, ka thënë Haradinaj.

Ambasadori Kosnett deklaroi të enjten se qytetarët duhet të flasin dhe të protestojnë kundër vendimeve të qeverisë.

“Ka shumë mjete për të sfiduar vendimet e qeverisë, flisni, organizohuni dhe protestoni. Demokracia nuk është një sport që duhet të luhet vetëm në ditën e zgjedhjeve, demokracia duhet të jetë e pranishme çdo ditë”, tha ambasadori amerikan.

Kosnett më tej shtoi se qeveritë autoritare që nuk janë të përgjegjshme tek populli mendojnë se populli është i zënë me punë për të ngritur zërin kundër dhe për të sfiduar keqqeverisjen.

“Është shumë e rëndësishme që shoqëria civile dhe mediat të luajnë një rol kyç çdo ditë që të paraqesë rastet e shkeljes së ligjit, dhe t’ua mundësojnë njerëzve të organizojnë debate dhe diskutime, në këtë mënyrë sigurohet se qeveria dhe pushteti janë duke qeverisur mirë”, u shpreh ambasadori amerikan Kosnett. /Insajderi.com