Haradinaj kthehet nga Haga: Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush

Haradinaj kthehet nga Haga: Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga para pak minutash.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se ka kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

“Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka shkruar edhe për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit të vendit, duke theksuar se askush nuk guxon t’i prekë kufijtë e Kosovës.

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.

Poashtu Haradinaj ka sqaruar edhe arsyen pse do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij si kryeministër edhe pas dorëheqjes.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj”, ka shkruar Haradinaj.