Haradinaj: Kthimi në PAN nuk është formulë për Aleancën

Haradinaj: Kthimi në PAN nuk është formulë për Aleancën

“Kthimi në PAN nuk është formulë për Aleancën, sepse kur e kemi mbrojtur Kosovën, ata kanë mbrojtur vetëm interesin personal dhe partitë e tyre”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Punës të kësaj partie, i cili po mbahet sot. 

Haradinaj u shpreh se partitë me të cilat ishte në koalicion bën lojë dyfytyrëshe, shkruan Insajderi.

Kryeministri në detyrë pati kritika edhe për ministrin Hamza.

“Ministri i Financave që ka marrë rrogë për financa, po hesht për shpenzimin e rezervave. Ai duhet të dalë e të tregojë ku janë, ku kanë shkuar financat. Loja dyfytyrëshe e partive partnere në koalicion ka qene mirë e orkestruar, me i marr privilegjet e me ia bart përgjegjësitë kryeministrit Haradinaj. Kanë punuar në këto dy vjet në dobësimin e kryeministrit”, ka deklaruar i pari i AAK-së.

Kryeministri në detyrë nuk kurse as kësaj radhe kritikat ndaj të parit të Vetëvendosjes.

“Koncepti që Albin Kurti e përfaqëson në politikë është mashtrim. Ka bërë politikë me mbetë në kauzë, jo t’i krijojë institucionet. Nuk do të krijojë qeverinë Albin Kurti, por do të vazhdojë të mbetet në kauzë”.

“Sa shpesh ma bënin pyetjen VV: “a i bane numrat?”. Në ato rrethana ne i krijuam institucionet. Ku janë VV sot? A i kanë numrat? Çka po ndodh sot në Kosovë? Një telenovelë. Përgjegjësia për t’i krijuar institucionet i bie fituesit të zgjedhjeve”, ka thënë ai teksa ka shtuar se nëse dështon koalicioni (VV-LDK), nëse neve na kërkohet ndihma për t’i krijuar institucionet, ne do ta shqyrtojmë këtë mundësi. Nuk jemi parti për ta bllokuar Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.