Haradinaj: Mogherini tha në Tiranë hiqeni taksën ua ndaj menjëherë Kosovën

Haradinaj: Mogherini tha në Tiranë hiqeni taksën ua ndaj menjëherë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se fjalia e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ditë më parë në Tiranë se në momentin që hiqet taksa do të thërrasë menjëherë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, mund të përkthehet në “ndarjen e menjëhershme të Kosovës”.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se tash Gjermania dhe Franca kanë marrë në duar të sigurta procesin e dialogut pas Samitit të Berlinit. “Është hequr nga duart e Mogherinit dhe s’ka rrezik për ndarje, e ka një stabilitet”, ka thënë ai.

“Mogherini tha në Tiranë hiqeni taksën se ua ndaj Kosovën menjëherë. A i ra ashtu? Si të hiqni taksën thërras takimin. A përkthehet kështu. Veç hiqeni taksën se menjëherë ua ndaj Kosovën. Shyqyr zotit kemi qëlluar në vend që i kemi lexuar projektet me kohë. S’hiqet taksa. Mogherini e ka kryer mandatin e vet. Tash janë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Amerika s’është tërhequr asnjëherë me rolin e saj në proceset në Kosovë teksa ka shtuar se ajo e vlerëson vet kur të marrë përgjegjësitë në proceset e caktuara. Sipas tij, Kosova s’ka përjashtuar asnjëherë Amerikën dhe as që do të mund të bëjë ndonjë gjë të tillë.

Ai ka falënderuar Bashkimin Evropian “që kanë hequr agjendën e Mogherinit”. “Na kanë bërë nder të madh. I falënderojmë”, ka thënë ai.

I pyetur të komentojë pjesëmarrjen e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në iftarin e shtruar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe deklarimet e mëparshme se “Çitaku është ambasadore e Thaçit”, Haradinaj tha se bëhet fjalë për raporte të popujve dhe jo të individëve.

“Ka pas ambasadorë para saj e do të ketë edhe pas saj. Janë marrëdhënie mes vendeve. Temat e interesit nacional, shumica e ambasadorëve s’i kanë paraqitur si kryeministri. Ka pas ndarje të brendshme, besoj se e dinë secili që është mirë të konsultohemi për të shkuar me qëndrime të caktuara”, ka thënë ai.

Për rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, Haradinaj ka thënë se është koha që të qartësohet e kaluara.

“Krimet po mohohen nga liderët serbë. Nuk po u pëlqen të pranojnë të vërtetën. Është puna që të qartësohet e kaluara dhe viktimat të realizojnë të drejtat e tyre të mohuara deri tash”, ka shtuar ai.