Haradinaj në takimin me Mogherinin kërkon që dialogu të përfundojë me njohjen nga Serbia

Haradinaj në takimin me Mogherinin kërkon që dialogu të përfundojë me njohjen nga Serbia

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit që ka zhvilluar sot me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të afatizohet dhe të ketë rezultat konkret.

“Kryeministri Haradinaj theksoi se dialogu duhet të riformatohet, të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Sipas komunikatës në në takim u fol edhe për rrugën dhe perspektivën europiane të Kosovës, me c`rast Haradinaj ka deklaruar se Kosova synon ta marrë deri në fund të 2018-ës statusin e vendit kandidat për BE.

“Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, thuhet në komunikatë.

Haradinaj poashtu tha se se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nisë të adresohet me fillimin e punës së komisionit të ri shtetëror.