Haradinaj: Nëse udhëzimi për homologim përbën shkelje ligjore, do të anulohet

Haradinaj: Nëse udhëzimi për homologim përbën shkelje ligjore, do të anulohet

Pas kërkesës së Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila ka kërkuar që deputetët t’i bëjnë presion Qeverisë dhe ministrisë së Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj, për të shfuqizuar udhëzimin administrativ për homologimin e veturave, ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj, tha se duhet të analizohet kjo çështje, dhe nëse ka shkelje të ligjit dhe procedurave,  të anulohet mënjëherë.

Haradinaj thotë se një vendim i tillë mund të atakohet pamarrë parasysh se kush se për cilën kompani bëhët fjalë

“Në kompteneca të ministrive dhe marrja e vendimeve të tyre, nuk gjykohet vetëm nga ana deklarative e dikujt tjetër, por gjykohet në bazë të procedurës dhe ligjit. Por unë nuk jam ministër në këtë rast, por brenda ministrisë nëse ka dikush problem me një vendim të marrë, bon me e ataku atë vendim, pa marrë parasysh kush është në pyetje, në bazë të shkeljes së ligjit e procedurave, nëse janë shkelë. Ose mundesh me kërkuar formulë të re për shkak të motiveve. Mundesh me i thanë qeverisë, nuk ke shkel ligj as kurrgjë, por pse se bëni kështu se është më mirë, ta zëmë liberalizim i tregut. Duhet me u sqaru, për çka po bëhet fjalë. Nëse është shkelje ligjore, anulohet menjëherë”, ka thënë Haradinaj.

Ai thotë se ka raste të shumta kur vijnë në Qeveri propozime të shumta, por thotë se nuk i paragjykojnë menjëherë, duke potencuar se ka faza të ndryshme kur mund të ndërhyhet nëse vlerësohet se një proces nuk është në interes të publikut.

“Ne kemi plotë raste kur vijnë propozime për tema të caktuara, por asnjëherë nuk i paragjykojmë në nisje. Por kemi plotë etapa kur mund të hyjnë. Kur e vlerësojmë se një proces nuk po del në përputhje me interesin e publikut, kemi mundësi me ndërhy”, ka thënë Haradinaj.

Shefja e BE-së, Natalya Apostolova, ka deklaruar të mërkuren se monopoli në homologimin e veturave është një brengë e ngritur nga BE-ja, pasi bie në kundërshtim me standardet e saj.

“Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në shtrirjen e monopolit, pasi vendosja aktuale nënkupton zgjerimin automatik të një operatori ekonomik, i cili ka pasur një marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008. Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregtinë”, ka theksuar ajo.