Haradinaj: Njohja reciproke duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Haradinaj: Njohja reciproke duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’ia paraqesë Uashingtonit dhe Brukselit zyrtar qëndrimin e palës kosovare që në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë të përfshihet edhe njohja reciproke, njofton Insajderi.

Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka thënë se “është momenti i duhur që kryeministri Hoti në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë të kërkojë marrëveshjen për njohje”.

“Kërkesa ime është që kryeministri Hoti t’i adresojë Uashingtonit dhe Brukselit kërkesën për njohje nga Serbia, ku në këtë marrëveshje do të përfshiheshin marrëveshjet e deritanishme të Brukselit, por edhe temat që do të zgjidheshin pas njohjes”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk beson se në Shtëpinë e Bardhë do të bisedohen vetëm për temat ekonomike, pasi sipas tij, aty do të diskutohet edhe rreth marrëveshjes për njohje reciproke Kosovë-Serbi./Insajderi.com