Haradinaj: Nuk i kam borxh PDK-së, më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e “Prontos”

Haradinaj: Nuk i kam borxh PDK-së, më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e “Prontos”

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sulmuar Partinë Demokratike të Kosovës lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, shkruan Insajderi.

Haradinaj është shprehur se PDK-së nuk ia ka borxh postin e presidentit, ndërsa ka shtuar se këtë subjekt politik e ka sjellë në pushtet.

“Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e “Prontos”. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet, janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale. Jam dalë në foltore dhe ju kam thënë mos e votoni”.

“Këta njerëz janë që po thonë se u kam borxh. O nuk iu kam borxh, por kam njerëzillëk. E keni marrë vetën në qaf. Nuk kam dashur t’i lë të gabojnë e të mos na sjellin kësi problemesh në vend. Edhe nëse nuk është e vertetë, po ulemi në tavolinë dhe po flasim me të gjitha partitë”, tha Haradinaj në RTV Dukagjini.

Më tej, ai shtoi se pozicioni i AAK-së për presidentin është i njëjtë si për LDK-në si për subjektet tjera politike.

Ai tha se AAK-ja nuk e dërgon vendin në zgjedhje edhe nëse nuk merr pjesë në zgjedhjen e presidentit./Insajderi.com