Haradinaj paralajmëroi “rrezik” – Njësia Speciale bëhet gati për protestën e VV-së

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka dalë në rrugët e kryeqytetit, teksa po zë vend para fillimit të protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Rreth një orë para fillimit të protestës së paralajmëruar nga Vetëvendosje, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë shumë afër objektit të Prokurorisë së Shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se ekziston një rrezik nga protesta e sotme e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër Prokurorisë së Shtetit dhe Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të premten, Haradinaj ka deklaruar se protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Lumezit do të thotë ndërhyrje në gjyqësor.

“Ekziston një rrezik kur një parti politike proteston kundër një prokurori. Kjo mund të kalojë në dimensione tjera, gati ndërhyrje ose presion në gjyqësor”, ka deklaruar Haradinaj.