Haradinaj: Sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës

Haradinaj: Sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar sot ditën më historike të sportit të Kosovës, e cila theu izolimin shumëvjeçarë të sportit tonë.

9 dhjetori 2014 do të mbetet përherë në histori të sportit tonë, datë kjo që shënon anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Me këtë rast, KOK ka organizuar një galambrëmje me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, në këtë galambrëmje të pranishëm kanë qenë president të shumtë të Komiteteve Olimpike, si Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë, Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë, Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut, Dusan Simonoviç, president i KO të Malit të Zi, Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë. Një mysafir tjetër i lartë ishte edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale. Krahas tyre, të pranishëm kanë qenë edhe figurat më të larta politike të shtetit tonë, si dhe ato nga sporti, arti e kultura.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e hapi galambrëmjen, duke i uruar mirëseardhje mysafirëve si dhe duke i listuar të arriturat e institucionit që ai udhëheq në këto pesë vite.

“Pranimi i KOK-ut në KON, me të drejta të plota, hapi rrugët për të gjitha federatat kombëtare të njihen nga federatat ndërkombëtare përkatëse. Pranimi i KOK-ut në KON mundësoi pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në kampionatet evropiane botërore. Ky pranim mundësoi pjesëmarrjen e parë të sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike 2016, ku Kosova morri pjesë me 8 sportistë, në Olimpiadën e Rios dhe Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në xhudo. Kjo medalje e vendosi Kosovën në mesin e vetëm 100 shteteve që kanë fituat medalje Olimpike edhe më tej mbesin 106 shtet nuk ia kanë dalur të kenë medalje të artë Olimpike edhe pse janë organizuar 31 edicione të Lojërave Olimpike. Medalja e artë e Majlindës ndërtoi shpresën për të rinjtë e Kosovës, veçmas tek femrat, sepse çdo gjë është e mundur, nëse punohet me vullnet e pasion”, u shpreh Hasani.

I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i cili u shpreh se në këto pesë vite, Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë një punë të mrekullueshme që nga pranimi në KON.

“Është për mua me të vërtetë një moment krenar edhe ju faleminderit Komitetit Olimpik të Kosovës. I nderuar kryetar Besim Hasani, kolektivë i KOK-ut të nderuar menaxher, të nderuar sportistë të Kosovës, faleminderit që na keni bashkuar sot me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON, edhe të na bëni të ndihemi krenar, sepse kjo është një storie e suksesit dhe sukses që mburremi ngado qe jemi dhe ju faleminderit shumë… Ajo që dua të them sonte, është se Kosovë vërtetë e nderuar për faktin se jemi anëtar të KON-it dhe kjo është po ashtu një mundësi pra një botë e re, një perspektivë për sportistët tanë. Pra ashtu siç janë bashkuar kjo dëshmon se ne të gjithë jemi të bashkuar rreth sportit, ashtu siç edhe sporti e donë. Sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës kohëve të fundit, pra nuk ka dilemë të gjithë pajtohemi”, tha Haradinaj.

Në emër të presidentëve të Komiteteve Olimpike Ndërkombëtare që ishin të pranishëm në këtë ceremoni, foli Krisztian Kulcsar president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, i cili u shpreh tejet i lumtur që ishte pjesë e kësaj ceremonie.

“Jam shume i privilegjuar që jam këtu te kremtoj 5-vjetorin e pranimit të KOK-ut në KOM. Ju duhet të jeni krenar me arritjet tua, veçanërisht me suksesin e Majlinda Kelmendit. Urime edhe një herë”, tha ai.

Kujtojmë që Komiteti Olimpik i Kosovës gjithashtu gjatë kësaj ceremonie ka ndarë mirënjohje për personalitete të ndryshme të sportit në vend si dhe sponsorët, ku njëri nga ta ishte edhe sponsori medial Agjencia e Lajmeve KosovaPress.

KOK u anëtarësua në KON në Sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.

Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në Lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë Olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë Olimpike, raporton KosovaPress.