Haradinaj- Stublla e quan “kryetoksik” Pal Lekajn dhe kërkon rinumërim total të votave

Haradinaj- Stublla e quan “kryetoksik” Pal Lekajn dhe kërkon rinumërim total të votave

Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputete, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila sot ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Punëve të Jashtme si dhe nga të gjitha funksionet në AAK dhe nga anëtarësia pas audio-incizimeve ku pretendohet se janë bërë manipulime me vota, ka kërkuar rinumërim total të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Haradinaj-Stublla, në një postim në Facebook, ka reaguar edhe ndaj një deklarate të bashkëpartiakut të saj dhe nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekaj, pasi ky i fundit në një medium sotkja thënë se vendimi i Haradinaj-Stubllës është i ngutshëm dhe ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm, pasi që, sipas tij, një veprim i tillë është dashur të merrej atëherë kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale.

“Unë e vlerësoj znj Haradinaj-Stublla për angazhimin dhe profesionlizmin e treguar ndër vite në AAK mirëpo më duket se ajo është ngutur me vendimin e saj për tu larguar nga AAK në këtë kohë kur gjërat ende janë të padefinuara dhe veprime të tilla kaq të mëdha bëhen në momente më të qeta dhe kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale por në fund të fundit vendimet i takojnë asaj dhe neve na mbetet vetëm t’i respektojmë”, kishte deklaruar Lekaj.

E, Haradinaj Stublla ka akuzuar rëndë nënkryetarin e AAK-së, Lekajn, duke e quajtur “kryetoksik”.

“I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, me siguri që për asnjë arsye të shëndoshë”, ka thënë Haradinaj-Stublla, për Lekajn./Insajderi.com