Haradinaj-Stublla takohet me komandantin e ri të KFOR-it

Haradinaj-Stublla takohet me komandantin e ri të KFOR-it

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, u takua sot me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Franco Federici, njofton Insajderi.

Haradinaj-Stublla dhe komandanti Federici diskutuan për situatën aktuale në Kosovë, me theks të veçantë situatën e sigurisë në vend, të cilën e vlerësuan bashkërisht si të qetë dhe të qëndrueshme.

“Ministrja falënderoi KFOR-in për punën dhe përkushtimin e palodhur të ushtarëve për angazhimin dhe kontributin e tyre të pakursyer në ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e paqes në vend që prej përfundimit të luftës, tash e 21 vite.

Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Komandanti Federici theksuan bashkërisht rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe komunikimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it”, thuhet në njoftimin e bërë nga MPJ.

Në referencë të motos së Komandës së KFOR “As One We Progress” (Si një, ne përparojmë), Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Komandanti i KFOR u dakorduan se kjo moto duhet të udhëheqë edhe bashkëpunimin në të ardhmen midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it./Insajderi.com