Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci, tregon për çka do të diskutohet

Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci, tregon për çka do të diskutohet

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Kroaci, transmeton Insajderi.

Gjatë kësaj vizite, ajo do të realizojë takime të nivelit të lartë, në të cilat do të diskutohet për intensifikimin e bashkëpunimit dhe lidhjes së fortë që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Siç njofton Haradinaj-Stublla me anë të një deklarate, takimin e parë zyrtar, bashkë me Zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Tahiri, shefja e diplomacisë kosovare do ta ketë me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Pas këtij takimi, Ministrja Haradinaj-Stublla do të pritet në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Grlic Radman.

“Kroacia dhe Kosova ndajnë historinë e hidhur të rrugëtimit për liri dhe pavarësi. Kanë pasur përjetime të njëjta si vende dhe popuj. Edhe sot, përderisa Kosova po përballet me qasje revizioniste të vuajtjeve dhe historisë së saj, ka shumëçka për të mësuar nga Kroacia si vend dhe popull fitimtar ndaj luftës në Ish-Jugosllavi, e tash si shembull i mirë në rajon për integrimin Euro-Atlantik”, ka bërë të ditur ajo. /Insajderi.com