Haradinaj-Sylejman Selimit: A ke qenë ndonjëherë gjatë luftës në Dukagjin?

Haradinaj-Sylejman Selimit: A ke qenë ndonjëherë gjatë luftës në Dukagjin?

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka pyetur ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimin, se a ka qenë ndonjëherë gjatë luftës në Dukagjin.

Këtë pyetje, Haradinaj e bëri në Interaktiv të KTV-së, pasi numrat që ai dhe Selimi ofronin për luftëtarët e UÇK-së, ishin shumë larg njëri-tjetrit.

Teksa kryeministri Ramush Haradinaj, vëllai i deputetit Daut Haradinaj, deklaroi se vetëm në rajonin e Dukagjinit ishin mbi 50 mijë luftëtarë, ish-komandanti Selimi ka deklaruar se nuk ishin më shumë se 13 mijë në gjithë Kosovën.

Kësaj deklarate, Daut Haradinaj i është përgjigjur me pyetje duke thënë se Selimi nuk ka qenë kurrë në Dukagjin dhe nuk ka si ta dijë numrin e luftëtarëve.

“Më vjen mirë që këta i japin vetes të drejtë të flasin. Shkopin magjik nuk e kanë pas. Për Sylën nuk flas për shkak të pozicionit që e ka. Pyetja ime për të është kur ke qenë në Dukagjin gjatë luftës, në cilin rast? Unë e Sylejman Selimi jemi takuar dy herë në Likoc dhe në Açarevë në fshatin e vet. Te unë s’ka qenë. Ai flet me lista të IOM-it. Asnjë nga fshati im, secili më i zoti se tjerët, asnjë nga këta burrë nuk ka publikuar në IOM. Kjo ishte organizatë që ofronte shuma financiare për njerëzit që po demobilizoheshin nga uniforma dhe kanë krijuar një fond solidarizimi i integrimit të ish pjesëtarëve të UCK-së. I kanë marrë 3 mijë dollarë me tri nënshkrime. Me këto lista nuk vlerësohet lufta”, ka thënë Haradinaj në Interaktiv të KTV-së.

“Askush nuk dilte të thoshte, nga këta që po kundërshtojnë, në kohën kur Ramushi ishte në Hagë se Carla Del Ponte po rren. Askush s’dilte të thoshte se jo Ramushi i ka pasur vetëm 50 ushtarë. Le të mi mohojnë listat, ua pranoj. Thaçi ka qenë në Dukagjin, por jo Syla. Mendoj që nuk ka mashkull më të zot në Drenicë për çka do i ka dhënë provat. Në atë aspekt ia heq kapuçin, por fizikisht s’ka qenë te unë. Ka qenë Rexhep Selimi, por jo Sylejman Selimi”, ka shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, në Dukagjin ka pas mobilizim tejet të madh për arsye të afërsisë me Shqipërinë. Ai ka thënë se qindra luftëtarë janë vrarë vetëm gjatë furnizimit me armë. Ai ka thënë se duke parë figura eminente në këto lista të të dyshuarve për veteranë të rrejshëm është dashur patjetër të ketë reagim nga ata që ishin në luftë. Sipas tij me publikim është bërë terrorizëm ndaj popullatës. Duke publikuar dhjetëra fotografi të bashkëluftëtarëve, Haradinaj ka thënë se fajtor për gjitha këto probleme është ligji. Sipas tij, nuk është dashur që të bëhet ligji për ata që kanë qenë në fund të luftës, por është dashur të ketë ndarje në bazë të asaj sa kanë qenë në luftë luftëtarët.

“Kur ka filluar lufta, i madh i vogël jemi mobilizuar në Dukagjin. Të gjithë ishim në luftë me aq sa kemi mundur. Ligji është i keq. Duhet të ndryshohet. Veteran është ai i pari që ka nisur jo ai i fundit. Në Kosovë e kanë bërë ligjin që të jetë veteran ai që ka hyrë i fundit”, ka thënë ai duke shtuar se prokuroria duhet të japë përgjigje për listat.

Ka thënë se i vjen keq që shumë njerëz që po flasin tash, e kanë “shikuar luftën me dylbi prapa”, por nuk ka përmendur emra.