Haradinaj: Taksa është shtet

Haradinaj: Taksa është shtet

Kryeministri Ramush Haradinaj në kuvendin e tetë zgjedhor të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Vushtrri, ka shfrytëzuar rastin edhe njëherë që ta përmend vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe dialogun me Serbinë.

Sipas tij, guxim ka qenë edhe formimi i ushtrisë edhe vendosja e taksës ndaj Serbisë edhe parandalimi i ndarjes së Kosovës.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës ka qenë i guximshëm. Guxim ka qenë për t’i thënë stop kur janë mobilizuar për të ndarë Kosovën. Guxim ka qenë kalimi i ligjit për Trepçën në Qeveri dhe Parlament. Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e të shtet-bërjes, nuk është votë”, tha Haradinaj.

Ndërsa Nehat Maxhuni, kryetar i porsazgjedhur i kësaj dege pa asnjë kundërkandidat,  falënderoi të pranishmit për besimin e dhënë për ta udhëhequr Degën e AAK-së në Vushtrri.

“Është privilegj dhe sfidë për mua. Do të jem kryetar i të gjithëve. Aleanca i ka dyert e hapura për të gjithë. Besoj se në zgjedhjet e ardhshme lokale Aleanca duhet ta marrë qeverisjen në Vushtrri”, u shpreh ai.

Në këtë Kuvend Zgjedhor ishin të pranishëm 117 nga 130 delegatë, të cilët parashihen me statut./ Insajderi.com