Haradinaj: Tash e tutje deklarohem vetëm përmes avokatit

Haradinaj: Tash e tutje deklarohem vetëm përmes avokatit

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, në seancën e Gjykatës Speciale që po mbahet në Hagë, ka thënë se nuk do të deklarohet më dhe se këtë do ta bëjë vetëm përmes avokatit të tij, njofton Insajderi.

Sipas Haradinajt, Prokuroria Speciale është njëanshme dhe selektive, ndërsa ka shtuar se në vend të tij, do të duhet të gjykoheshin ata që i sollën dokumentet në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Para se të deklarohem dua të them se për mua dhe këdo që ka një logjikë, e kupton se kjo prokurori do të heq fajin nga vetja. Siç edhe po shihet këtu, Kosova dhe qytetarët e saj janë fajtorë kujdestar. Ne duhet të përgjigjemi pse ju dolën sekretet e tyre. OVL-UÇK-ja nuk mund të fajësohet për nxerrjen e këtyre dokumenteve. Pra, në vendin tim duhet të ishin kolegët e tyre ose edhe vetë ndonjë nga ta. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë se ne kemi qenë dyshues në prokurorinë e këtyre dhomave. Mohimi i faktit duke anashkaluar se kush i solli ato dokumente në Kosovë e kush na i solli neve, është çmenduri dhe aspak drejtësi. Ne po akuzohemi për t’i larë fajet e kësaj prokurorie. Kjo prokurori është selektive dhe e njëanshme”, ka thënë ai.

Tutje, Haradinaj është shprehur se arrestimet e fundit nga Specialja e kanë bërë të mendojë se kjo e fundit është e korruptuar.

“Por, tani me këto veprime, po bindem se është edhe e korruptuar. Kjo prokurori po mundohet ta njollosë luftën e UÇK-së dhe luftëtarëve të saj dhe po mundohet të dënojë përfaqësuesit e organizatës së tyre. Deklarimin tim të pafajësisë do ta bëjë avokati im dhe unë më nuk do të flas, do të flas vetëm avokati im”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gjykatësi njoftoi se data për rishqyrtimin e paraburgimit për Haradinajn do të mbahet më 27 dhjetor. Pavarësisht insistimit të avokatit mbrojtës që kjo datë të shtyhet, gjykatësi tha se është e pamundur për shkak të kohës së shkurtër.

“Ligji parashikon një rishqyrtim të paraburgimit në afatin prej dy muajsh. Për z. Haradinajn kjo i bien më 27 dhjetor. Edhe seancën e sotme e kam shtyer me kërkesën e tij. Për shkak të këtij afati prej dy muajsh unë nuk mund të ju jap më shumë kohë juve sepse tani nuk do të kem kohë për të marrë vendime”, ka thënë gjykatësi.

Ndryshe, Nasim Haradinaj bashkë me Hysni Gucatin, janë arrestuar më 25 shtator si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të dy akuzohen për pengim, kërcënim, hakmarrje dhe zbulim të të dhënave të Speciales./Insajderi.com