Haradinaj thotë  se një shtet i fortë është bindur për viza, por Kosova ka punë me një shtet tjetër

Haradinaj thotë  se një shtet i fortë është bindur për viza, por Kosova ka punë me një shtet tjetër

Liberalizimi i vizave tashmë është vetëm çështje procedurale dhe nuk ka asnjë bllokadë. Madje, as nga Franca.

Për këtë siguron kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon te KTV-së.

Haradinaj ka komentuar vizitën e presidentit francez, Emnauel Macron në Beograd.

Ai ka thënë se Samiti i Berlinit dhe paralajmërimi për atë të Parisit tregon qartazi vullnetin e Francës për përfshirje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk është keq Parisi, ka qenë i nevojshëm një ballafaqim shpjegues, takimi me ministrin e Brendshëm. Kam mujt atje m’i thanë se ne kemi më pak problem me narkotikë dhe krim se ju. Pata mundësi që këtë bisedë me vazhdu edhe me kryeministrin e Francës. Me këtë dua të them se Franca është pozitive për liberalizimin e vizave. Nuk është bllokuese. Kemi punë me Holandën. Kam pas rastin me taku ambasadoren e Holandës”, ka thënë Haradinaj.

“Dua t’ju them se çështja e liberalizimit është e kryer. Ne jemi në agjendë. Për fat të mirë këtë po e konfirmon edhe zgjedhja e kryetares së komisionit”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë se megjithatë francezët nuk dalin kundër këtij procesi.

“Presidenti Macron ka thënë se për zgjerimin na duhet reforma. Mirëpo, çështja e liberalizimit nuk është përfshi këtu meqë i kemi përfunduar te gjitha kriteret”, ka thënë ai.

Haradinaj ka shprehur bindjen se në shtator, Kosova do të hyjë në agjendë.

“Shpresoj shumë që me këtë vjeshtë e mbyllim këtë”, ka thënë Haradinaj.