Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar të insistoj se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave edhe pse Raporti i Progresit i publikuar dje nga Komisioni Evropian theksonte nevojën për përmbushjen e kushtit të fundit, raporton Insajderi.
Haradinaj megjithatë ka deklaruar sot, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini se Kosova ka shënuar procese të rëndësishme, madje sipas tij liberalizimi i vizave për kosovarët është çështje ditës.
“Darkë pune e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me Federica Mogherinin, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë”.
“Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen europiane dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Është një proces i gjatë për të cilin jemi të përkushtuar si Qeveri, andaj është e rëndësishme që kjo të vlerësohet dhe Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe me të drejtë pret që çështja e vizave të jetë çështje javësh”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./Insajderi.com