Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur rreth vizitës së tij në Bruksel dhe bisedat me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini. Thotë se i ka dërguar mesazhin se Kosova nuk mund të vazhdojë në një gjendje të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se në takimin e fundit që pati në Bruksel, ka insistuar që pjesë e dialogut në mes Kosovës e Serbisë, të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo sipas tij duhet të ndodhë pasi tash e një kohë të gjatë, dialogu i zhvilluar tash e disa vite, është proces i ngadalësuar dhe po ashtu ka disa raste që sipas Haradinajt, Serbisë po u mundësohen disa çështje të tjera.
“Është normal kjo që kam bërë atje. Jemi një vend që edhe kemi humb kohë edhe kemi shumë presion të qytetarëve për gjendjen. Qytetarët tanë presin para ambasadave dhe beso se nuk ka kuptim. Dy palët na kanë thirr në dyluftim, na kanë qit fusnotën, krejt këto procese kanë ndodh dhe në fund njonit i thonë se t’i po bëhesh anëtar i BE-së dhe ja caktojnë vitin e Kosova e ka njëfar MSA-je atje që as nuk shihet ku është Kosova dhe as liberalizim të vizave nuk të dhënë”, tha Haradinaj për Klan Kosovën.
”Qëndrimi im është me kohë të gjatë kritikues ndaj dialogut që është i ngadalshëm, që është njëfar humbje kohe. Kam insistuar që të kalojmë në finalen e këtij dialogu e njëkohësisht të jetë edhe SHBA në tavolinë”, tha ai.
”Na dhanë lavdata për punën që po e bëjmë, por për ta ishte e tepruar pse unë po shkojë shumë shpejt në kërkesa. Unë iu shpjegova që nuk kemi pse me shku më, në një proces që nuk ka fund. Nëse edhe neve nuk na e japin një hartë të saktë se ku shkojmë ku arrijmë me këto, nuk ka logjikë të vazhdohet. Besoj në Kosovën europiane, por s’mundesh në pa kufi me iu thanë se kjo është e drejtë. Pse ne duhet me prit gjatë kohë derisa pesëshja e BE-së të na njoh si shtet”, tha kryeministri.