Hasani: Është rritur interesimi i bizneseve gjermane për të investuar në Kosovë

Hasani: Është rritur interesimi i bizneseve gjermane për të investuar në Kosovë

Drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se kohëve të fundit është shtuar interesimi i bizneseve e kompanive të ndryshme gjermane për të investuar në Kosovë.

Sipas saj, imazhi i Kosovës është një prej pengesave për bizneset gjermane që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.

“Ne në vazhdimësi jemi duke luftuar që ta përmirësojmë imazhin e Kosovës, duke e pasur parasysh që është një prej pengesave më të mëdha se pse hezitojnë ndërmarrësit gjerman të vijnë në Kosovë. Përveç imazhit duhet ta kemi parasysh se Kosova është vend i vogël, edhe pse kemi mjaftë se çfarë të ofrojmë, ne duhet të jemi atraktiv me investitorët”, tha Hasani.

Ajo ka treguar se pas hyrjes në fuqi të MSA-së është rritur interesimi i bizneseve gjermane që të investojnë në Kosovë.

“Interesimi i investitorëve gjerman është rritur që të investojnë në Kosovë, veçanërisht nga hyrja në fuqi e MSA-së. Vazhdimisht përmes Odës investitorët vijnë të interesohen në Kosovë dhe kemi arritur t’i shënojmë rastet e para të suksesit, ku ka firma gjermane që një pjesë të prodhimit ta zhvendosin në Kosovë”, tha ajo.

Hasani në këtë intervistë ka folur edhe për misionin e Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare për të cilën ka thënë se është një urë lidhëse ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës si dhe bizneseve nga diaspora.