Hashim Thaçi e zbulon spiunin nga Policia e Kosovës tek Serbia

Hashim Thaçi e zbulon spiunin nga Policia e Kosovës tek Serbia

Aleksandar Vuçiq kishte pasur informata të sakta se çfarë do të ndodhte gjatë ditës së martë në veri të Mitrovicës. Ai kishte paralajmëruar afër dy javë më parë se do të kishte arrestime të policëve, por edhe të personave të zakonshëm.

Por, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka treguar për ‘spiunin’ e Serbisë nga Policia e Kosovës. Ka thënë se Policia e Kosovës i tregon ndërkombëtarëve e më pas ata ua përcjellin Serbisë.

“Fare e lehtë është kjo Institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës bashkëpunojnë me ndërkombëtarët. Institucionet ndërkombëtare për mos me ua prish qejfin Serbisë i njoftojnë autoritet e sigurisë që ka me ndodh kështu. Kjo është e vërteta”, ka deklaruar Thaçi në Debat Plus.

Përkundër që Vuçiq nuk kishte qëlluar numrin e saktë të të arrestuarve, ai kishte dëshmuar edhe njëherë për informatorët e tij nga Kosova, shkruan Insajderi.

Vuçiq kishte paralajmëruar se do të arrestohen rreth 40 persona, por u arrestuan 30 veta – 10 më pak se sa kishte paralajmëruar Vuçiq.

Prej tyre 19 kishin qenë policë, ndërsa të tjerë qytetarë të thjeshtë.

“Prej të hënës ata duan të arrestojnë 26 policë nga veriu i Kosovës dhe 15 persona tjerë me arsyetim se ata kanë marrë pjesë në korrupsion, në mënyrë që veriu i Kosovës të mbetet i pambrojtur, para se gjithash Mitrovica dhe që të mund t’i bëjnë gjërat më të ndyta kundër popullit tonë”, kishte deklaruar Vuçiq për televizionin serb RTS.

Pas arrestimeve Vuçiq u lajmërua përsëri. Kishte thënë se kishte lajmëruar gjithë ndërkombëtarët.

“Kjo që po ndodh sot, është ajo që ne e kishim paralajmëruar rreth 15 ditë më herët, kur e kishim alarmuar komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq.

Policia e Kosovës kishte ndërmarrë gjatë ditës së martë një aksion ku janë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe policë.  Po ashtu dy zyrtarë të UNMIK-ut janë arrestuar pasi kishte tentuar ta pengonin Policinë e Kosovës.  Njëri nga zyrtarët e UNMIK-ut kishte qenë rus ndërsa tjetri serb./Insajderi.com