Hashim Thaçi vs VV-LDK – Presidenti tregon kur do ta merr situatën politike në dorë

Hashim Thaçi vs VV-LDK – Presidenti tregon kur do ta merr situatën politike në dorë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë sot se adresa e zgjidhjes së ngërçit politk është ende tek partitë politike dhe se sipas tij në momentin kur kalon në një fazë tjetër, ai do të punoj që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar por e theksoj edhe njëherë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike që kanë adresë të partive politike me përgjegjësitë e tyre të respektimit të vullnetit qytetar por edhe të përgjegjësive kushtetuese e ligjore, gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm të një adrese politike, vazhdoj të besoj fuqishëm se do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë me implementimin e prioriteteve që si shtet i Kosovës qoftë për liberalizimin e vizave qoftë për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha ai, shkruan Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përfshirë në bisedime për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por pa ndonjë rezultat.

Udhëheqësit e dy partive politike kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave të cilat nuk kanë siguruar një marrëveshje për bashkëqeverisje edhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme më 6 tetor.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

I gjithë procesi i negociatave për formimin e qeverisë, është përshkuar nga ide nga më të ndryshmet lidhur me marrëveshjen, ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, madje duke mos hedhur poshtë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.