Hashim Thaçit i konfirmohet aktakuza nga Specialja – dorëhiqet nga posti i presidentit

Pas Kadri Veselit edhe Hashim Thaçi ka njoftuar se i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Thaçi ka njoftuar se më nuk do të jetë president i Kosovës, por ka thënë se “kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim”.

Hashim Thaçit i konfirmohet aktakuza nga Specialja – dorëhiqet nga posti i presidentit

Presidentit të Kosovës,  Hashim Thaçi, i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, njofton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Thaçi në një konferencë për media.

“Para pak çastesh jam informuar nga njerëzit kompetentë se gjykatësi i dhomave të specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje”, tha Thaçi.

Thaçi, ashtu siç kishte thënë se do bënte kur i ishte ngritur propozim-aktakuza, ka dhënë dorëheqje.

Ka thënë se nuk do të lejonte në asnjë formë që të gjykohet Presidenti i Kosovës.

“Nuk do të lejoj që para gjyqit të dal presidenti i Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e presidentit dhe shtetit, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit”, ka pohuar Thaçi.

Ai ka shtuar se “jam i gatshëm për të bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë dhe që nga ky moment jam në dispozicion”.

Për tashmë ish-presidentin e vendit “asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë; Kosova ka qenë viktima, Serbia agresori”.

Thaçi ka deklaruar se këto aktakuza janë rast i mirë që “këtë situatë ta shndërrojmë në avantazh”.

Ai ka lutur qytetarët “për maturi, qetësi dhe unitet”.

“Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë; Kosova e lirë, shtet i të gjithëve”.

Në fund, ish-themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pohoi se “kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim – do të shihemi prapë, do të dalim faqebardhë”.

Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë “krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme./Insajderi.com