Haxhiu akuzon Thaçin për shkelje ligjore – kërkon zbardhjen e letrave me LDK-në

Haxhiu akuzon Thaçin për shkelje ligjore – kërkon zbardhjen e letrave me LDK-në

Albulena Haxhiu, ministrja në largim e Drejtësisë, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka hedhur akuza ndaj Presidentit të vendit, Hashim Thaçi për ftesën që i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për krijimin e qeverisë së re.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se askush nuk i ka parë letrat të cilat i ka dërguar Thaçi, kreut të LDK-së, Isa Mustafa, përcjell Gazeta Insajderi.

“Sot, janë bërë shtatë ditë nga kur presidenti Thaçi jashtë autorizimeve kushtetuese dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mblodhi partitë politike dhe paralajmëroi veprime antikushtetuese për krijimin e një Qeveri të re. Që nga ajo ditë, Thaçi i ka dërguar dy letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me aludimin për të kërkuar propozimin e mandatarit për kryeministër. Por, qytetarët e vendit, mediat dhe publiku i gjerë nuk i ka parë këto letra”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka akuzuar Thaçin dhe LDK-në se ata janë duke e ditur se janë duke bërë shkelje ligjore mirëpo po i fshehin gjurmët e tyre.

“Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë. As sot e asaj dite, as Presidenti dhe as LDK nuk i kanë publikuar këto letra, përmbajtjen e tyre dhe se në cilin nen apo paragraf të Kushtetutës është bazuar Presidenti për një veprim të tillë. Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?!”, ka shkruar ndër tjera Haxhiu.

Haxhiu ka përfunduar duke thënë se “Të vetëdijshëm se ajo çfarë po bëjnë nuk parashihet me Kushtetutë, rrjedhimisht ndalohet, presidenti është përfshirë në një proces tërësisht të paligjshëm e klandestinë, përveçse edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”. /Insajderi.com