Haxhiu: Haradinaj ka pritur në zyrën e tij kriminelë që dyshohen për krime të rënda në Kosovë

Haxhiu: Haradinaj ka pritur në zyrën e tij kriminelë që dyshohen për krime të rënda në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar mbi deklaratën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e pyeti kryeministrin Albin Kurti, nëse është rekrutuar nga shërbimet sekrete gjatë kohës sa ishte në burgjet e Serbisë, transmeton Insajderi.

Haxhiu thotë se Haradinaj nuk do të duhej të përdorte fjalë të tilla, pasi sipas saj, ai ka pritur në zyrën e tij kriminelë që dyshohen për krime të rënda në Kosovë.

“Ai ka prit në zyrën e tij kriminelë që dyshohen për krime të rënda në Kosovë, nuk i ka hije një personi të tillë të flasë, që gjithë i ka shërby interesave të veta gjatë qeverisjes së tij”, ka thënë Haxhiu në emisionin ‘Dpt te Fidani’ të T7.

Haradinaj gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, derisa mori fjalën, iu drejtua kryeministrit Kurti me dy pyetje.

“Kam dy pyetje për kryeministrin, Albin Kurti, a je i rekrutuar nga shërbimet serbe, a bën Serbia diçka mbi ty që të mban peng, sot e kësaj dite, a është Kosova e rrezikuar prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng nga shërbimet serbe”, tha Haradinaj në foltoren e Kuvendit.

“Dhe e dyta çka po i sjell Kosovës tregona kur po shkon në Bruksel”, shtoi më tej ai. /Insajderi.com