Haxhiu: Në Kosovë ka shumë zyrtarë që mbajnë edhe 6 vende pune

Haxhiu: Në Kosovë ka shumë zyrtarë që mbajnë edhe 6 vende pune

“E vetmja që nuk është adresuar ende ka të bëjë me vendet e punës që mban një zyrtar, ta zëmë sot në Kosovë ka shumë zyrtarë që mbajnë 2,3,4,5, madje edhe 6 vende pune, prandaj unë ju inkurajoj që sot të diskutoni për këtë”.
Këto komente, deputetja e PDK-së, Albulena Haxhiu i bëri në hapjen e punimeve të konferencës dy ditore rajonale kundër korrupsionit, të organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ku po marrin pjesë drejtues të institucioneve relevante nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Turqia.

Kryesuesja e Komisionit parlamentar për legjislacion, Albulena Haxhiu, në emër të komisionit kërkoi nga Agjencia që të vazhdojë në drejtim të parandalimit dhe luftimin korrupsionit.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, tha se për ta luftuar korrupsionin duhet përkrahje politike.

Konferenca ka për qëllim që të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Konferenca rajonale kundër korrupsionit është e para këtij formati që organizohet në Kosovë dhe synon që të bëhet tradicionale përmes miratimit të një deklarate të përbashkët në përmbyllje të punimeve.