Haxhiu: Nuk kam informacione nëse institucionet kanë vepruar ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të tij

Haxhiu: Nuk kam informacione nëse institucionet kanë vepruar ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të tij

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk ka informacione nëse institucionet e drejtësisë dhe sigurisë kanë marrë ndonjë veprim ndaj serbëve nga Kosova që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione, përcjell Insajderi.com.

Haxhiu duke folur për përfshirjen e personave tjerë në këtë listë, deklaroi se është shumë e rëndësishme që institucionet të mos “mbyllin sytë” karshi këtyre rasteve.

Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq – dy nga të sanksionuarit nga SHBA-ja.

Sipas saj, të njëjtit nuk do të mund të operonin lirshëm pa mbështetjen e zyrtarëve qeveritarë të kaluar.

“Pas kësaj, nëse jo më herët, duhet veprime institucionale nga institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe po ashtu ekzekutivit dhe në këtë drejtim jemi dakorduar me ministrat e kabinetit qeveritar që gjithçka që varet nga ne të adresohet këtu, me theks të veçantë Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, por natyrisht edhe ministritë e tjera nëse kanë kompetenca.
Drejtpërdrejtë Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjegjësi në këtë, mirëpo ne jemi duke identifikuar nëse kemi diçka që mund të bëjmë në këtë drejtim, nuk duhet të kemi mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës, është komplet e qartë se këta nuk do të mund të operonin me shkelje, krim dhe korrupsionin aq lehtë nëse nuk do e kishin mbështetjen e Prishtinës apo edhe të politikanëve që kanë qenë në Qeveri shumë vite”, ka deklaruar Haxhiu për KP.

Tutje, ministrja e Drejtësisë tha se është e shqetësuar për tërheqjen e fletëarrestit ndaj Milan Radoiçiqit i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja, gjë për të cilën thotë se ende nuk dihet pse ka ndodhur.

“Ne si Qeveri, por edhe si ministri e Drejtësisë, i kemi mirëpritur sanksionet e vendosura ndaj kriminelëve serbë nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konsideroj se jo vetëm pas këtyre sanksioneve, por edhe paraprakisht është dashur të ketë veprime të institucioneve qoftë të sigurisë, qoftë të drejtësisë, në raport me këta persona. E sidomos tani pas sanksionimit, unë nuk kam informacione në qoftë se institucionet janë duke e adresuar këtë.

Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar që për njërin prej tyre, në muajin shkurt të këtij viti, është tërhequr urdhërarresti, madje kam qenë e habitur me deklaratën e ish-prokurorit të kësaj lënde ku thotë se ‘ka pasur edhe profile të larta që kanë ardhur në derën time’, duke iu referuar politikanëve shqiptarë për të bërë presion tek ai për ta tërhequr këtë urdhërarrest”, shtoi ajo.

Ndryshe, ditë më parë, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj një grupit të krimit të organizuar në krye me Zvonko Veselinoviq, i cili dyshohet për trafikim të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, pjesë e listës janë edhe Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Andrija Bojiq dhe Radule Steviq – të gjithë serbë nga Kosova./Insajderi.com