Haxhiu pas vendimit të Kushtetueses: Mërgimtarët duhet të vijnë fizikisht të votojnë

Haxhiu pas vendimit të Kushtetueses: Mërgimtarët duhet të vijnë fizikisht të votojnë

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votat e ardhura me postë pas afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu është shprehur se në zgjedhjet e ardhshme, mërgimtarët duhet të vijnë fizikisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Mërgata jonë pikërisht për shkak të këtyre veprimeve të qëllimshme, në zgjedhjet e ardhshme, duhet të vijnë fizikisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, me veturë, me autobus ose aeroplan”.

“Deputetët e grupeve tjera parlamentare, mërgatës tonë nuk ua lehtësojnë procedurat e votimit jashtë vendit dhe tani sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votat me postë të mërgatës nuk numërohen nëse ato mbërrijnë pas afatit, pavarësisht nëse ata i dorëzojnë me kohë zarfet. Nëse në KQZ mbërrijnë me vonesë, pavarësisht që kjo shpesh bëhet qëllimshëm, sipas GJK, ato vota s’do të numërohen!”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, është e dhimbshme të shihet që po iu mohohen të drejtat kushtetuese qytetarëve të Kosovës nga vetë institucioni që duhet t’ia mbrojë ato.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, një procedurë ligjore është mbi të drejtën kushtetuese të votës! Është e dhimbshme kur sheh përmbysje të të drejtave kushtetuese nga institucioni që duhet t’i mbrojë ato!”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka deklaruar të pranueshme ankesën e NISMA-AKR-PD-së ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme për të numëruar votat nga jashtë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ndonëse ato kishin ardhur jashtë afatit të përcaktuar ligjor

Kjo gjykatë ka konstatuar se aktgjykimi nga Gjykata Supreme nuk është në përputhshmëri me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës./Insajderi.com