Haxhiu: Prioritet është Vettingu, procesit të verifikimit do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe ATK-ja

Haxhiu: Prioritet është Vettingu, procesit të verifikimit do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe ATK-ja

Ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Albulena Haxhiu, thotë se vettinhun e kanë prioritet dhe se e shohin si çelës për ta kthyer sistemin e drejtësisë në shërbimin e qytetarëve, transmeton Insajderi.

Haxhiu thotë se procesit të verifikimit përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Nuk do të jenë si pikë reference, jo pse dua ta neglizhojë punën e tyre, por se në programin tonë qeverisës, ne si me thënë parashohim diçka tjetër në raport se si në Kosovë duhet të bëhet vettingu. Po them edhe një herë, raporti në fjalë nuk është si me thënë dokument i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të qartë se si në Kosovë duhet të bëhet vettingu, prandaj edhe personat të cilët kanë punuar në këtë grup padyshim që do të ftohen në grupet punuese, sepse Ministria e Drejtësisë nuk ka interes të punojë me një mungesë transparence, pra do të jetë transparente sepse kështu e obligon edhe rregullorja e punës së qeverisë. Do të ftohen grupet e interesit, do të ftohet pra shoqëria civile, do të ftohen përfaqësuesit e prokurorisë, gjykatave, policisë dhe të tjerë, por edhe ekspertë të tjerë pa të cilët padyshim se do të jetë e vështirë që të adresohet”, thotë ajo, raporton KP.

Haxhiu thotë se nuk do të ketë një grup të ri të ekspertëve, siç e kishin formuar gjatë kohës sa kanë qeverisur me vendin, por që e gjithë puna për vettingun do të nis në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë.

“Pa dyshim që ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët janë të interesuar të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, por që kjo do të niset në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë ku do të ftohen të gjithë që janë të interesuar që të punojnë në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme”, thotë ajo. /Insajderi.com