Haxhiu: Së shpejti do të nisim projektligjin për veting

Haxhiu: Së shpejti do të nisim projektligjin për veting

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka prezantuar tashmë të emëruarin Blerim Sallahu si zëvendësministër i ministrisë që ajo drejton, njofton Insajderi.

Haxhiu ka bërë të ditur se me Sallahun janë takuar para 11 viteve në Lëvizjen Vetëvendosje dhe është shprehur e lumtur që do të punojnë së bashku.

“Blerim Sallahu do të jetë zv. Ministër i Drejtësisë. Me Blerimin para 11 viteve jemi takuar në Lëvizje. Jam shumë e lumtur që së bashku do të vazhdojmë të punojmë në jetësimin e zotimeve tona. Këtij rrugëtimi do t’i bashkohen edhe shumë profesionistë që ia duan të mirë vendit dhe e duan Kosovën vend me drejtësi e zhvillim”, është shprehur ajo.

Ajo po ashtu tha se shumë shpejt do të nisin punën lidhur me projektligjin për veting, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e shumë çështje të tjera.

“Kosova do të bëhet shtet i së drejtës!”, ka shkruar Haxhiu ndër të tjerash në Facebook.

Para se të emërohej zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë Sallahu ka qenë përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe kryeministri i vendit, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra në ministri të ndryshme.

Hysen Durmishi është emëruar si zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Enver Dugolli si zëvendësministër i Mbrojtjes, Blerim Sallahu në ministrinë e Drejtësisë dhe Ilir Aliu në atë të Financave, Punës dhe Transfereve./Insajderi.com