Haxhiu: S’kemi nevojë të eksperimentojmë e ta bëjmë president Haradinajn

Haxhiu: S’kemi nevojë të eksperimentojmë e ta bëjmë president Haradinajn

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka nevojë të ekperimentohet që në krye të postit të Presidentit të vijë Ramush Haradinaj, transmeton Insajderi.

Haxhiu kështu u shpreh duke numëruar vendimet e Haradinajt derisa ishte duke qeverisur, për të cilin madje thotë se nuk është kandidati i duhur për president.

“Ne kemi thënë gjithmonë që presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, pse patjetër duhet me qenë dikush nga partitë politike. Unë nuk mendoj që Ramush Haradinaj nuk është kandidati i duhur për president dhe nuk e kuptoj ambicien e tij për të qenë president. Ai ka qenë kryeministër dy vite, dhe na ka treguar mënyrën se si qeverisë, ndër vendimet e tij të para ishte çështja e rritjes së pagave për vete. Haradinaj ka përgjegjësi të madhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ju e dini se flamurin e kundërshtimit e ka pasur AAK, ndërsa në momentin që u bë kryeministër ai hoqi dorë nga territori i Kosovës. Prandaj, nuk kemi nevojë të eksperimentojmë dhe ta bëjmë president Haradinajn”, theksoi ajo për Telegrafin.

Haxhiu tutje deklaroi se Kuvendi i Kosovës nuk ka legjitimitet për të zgjedhur presidentin për një mandat pesë-vjeçar.

“Ky Kuvend nuk po mund të kryejë as përgjegjësitë minimale që i ka”, tha ajo.

Duke diskutuar për çështjen e presidentit, Haxhiu tha se shpreson që Kosova mos të ketë edhe një herë një president sikur Hashim Thaçi.

“Uroj që Kosova mos ta ketë fatin që me pas edhe një herë president një figurë si Hashim Thaçi, i cili ka qenë figurë përçarëse, i cili asnjëherë nuk e ka përfaqësuar unitetin e popullit, por e ka pasur njërën këmbë në PDK dhe gjysmën tjetër në presidencë”, shtoi ajo. /Insajderi.com