Haxhiu sqaron punësimin e bashkëpartiakut – fajëson të tjerët se e vunë në lajthitje

Haxhiu sqaron punësimin e bashkëpartiakut – fajëson të tjerët se e vunë në lajthitje

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dukagjin Neziri ditë më parë është emëruar zyrtar ligjor në Ministrinë e Drejtëisë, pa konkurs fare.

I njëjti, më 15 prill ka filluar edhe punën në këtë ministri, shkruan Insajderi.

Emërimi është bërë nga vet Albulena Haxhiu, ministre e drejtësisë, e që pikërisht kjo ishte shumë kritike në raport me emërimet politike që kishte bërë në të kaluarën Abelard Tahiri si ministër i Drejtësisë.

Mirëpo, më vonë ky vendim është shfuqizuar.

Berita Abazi, zëdhënëse e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë për Insajderin se ky lëshim është bërë nga Burimet Njerëzore brenda Ministrisë së Drejtësisë.

“Më lejoni të ju njoftoj që lidhur me atë paraprakisht ne jemi konsultuar me Burimet Njerëzore në Ministrinë e Drejtësisë dhe kemi pranuar konfirmimin se i njëjti mund të jetë nënpunës me pozitën zyrtar ligjor. Vendimi në fjalë është përgatitur nga të njëjtit. Pasi që jemi njoftuar më vonë për këtë lëshim nga Burimet Njerëzore, brenda Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja ka ndryshuar vendimin në fjalë”, ka thënë Abazi për Insajderin.

Ajo, madje ka paralajmëruar se kushdo që tenton ta vë në lajthitje kabinetin e ministres, Haxhiu, do të japë përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi.

“Disa herë ne kemi parandaluar lëshime të tilla, për të cilat nuk mund ta dimë nëse janë bërë me qëllim. Por kushdo nga stafi civil që tenton të vë në lajthitje kabinetin e Ministres, duhet të jap përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë ajo.

Dukagjin Nezirit, tashmë i është ndërruar pozita nga zyrtar ligjor në asistent ekzekutiv në kabinetin e ministres, Haxhiu./Insajderi.com

Pa konkurs fare: Rehatohet si zyrtar ligjor anëtari i VV-së në ministrinë e Albulena Haxhiut