Haxhiu tregon se kur do ta bëjnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Haxhiu tregon se kur do ta bëjnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu në Interaktiv të KTV-së ka paralajmëruar se do të ketë protesta të shumta, por edhe mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Haxhiu ka thënë se tani është krijuar një momentum i ri për të rrëzuar këtë Qeveri, siç e quan ajo, të skandaleve.

“Kurti para disa ditësh ka përmendur të gjitha skandalet e Qeverisë Haradinaj, dhe pas asaj është krijuar një momentum i ri që të dilet edhe në rrugë për të ndalur Haradinajn. Tani ka shumë arsye që të ndalim PANhajninë. Qysh në momentin e parë Qeveria Haradinaj e ka dëshmuar këtë me rritjen e pagës për veten. Kemi dorëzuar kallëzimin penal dhe tani kjo qeveri është nën hetim. Vendimi për rritjen e pagës ka qenë absurd. E në gjendje të mjerë është edhe sistemi gjyqësor”, ka thënë Haxhiu.

E rrëzimin e Qeverisë VV do të tentojë edhe përmes mocionit të mosbesimit, data për të cilën ajo ka thënë se ende nuk dihet.

“Do të kemi edhe një mocion mosbesimi, nuk e di se kur do të ndodhë. Aktualisht nuk i kemi votat. Momentalisht jemi veç ne edhe LDK-ja, pasi ata që kanë ikur nga VV-ja nuk mund t’i konsideroj opozitë. Këta mund të kenë probleme ndërmjet vete, por janë bashkë e këta i bashkon korrupsioni. E me mocion do të shohim se kush ku është. Nuk mund ta mbajmë një Qeveri në pushtet vetëm për shkak të taksës dhe ushtrisë. Nuk e kemi diskutuar se kur do të dërgohet mocioni në Kuvend, por për këtë do të flasim edhe me LDK-në”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja e VV-së ka thënë se do të angazhohen maksimalisht se sivjet të ketë zgjedhje në Kosovë.