Haziri: Do të isha i lumtur nëse Kujtim Shala kandidon për kryetar të LDK-së

Haziri: Do të isha i lumtur nëse Kujtim Shala kandidon për kryetar të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se do të ishte shumë i lumtur nëse do të kandidonte për kryetar të ri të LDK-së, bashkëpartiaku i tij Kujtim Shala.

Haziri tha se Shala do të plotësonte shumë kërkesa dhe pritje.

“Do të doja dhe do të isha shumë i lumtur që zotëri Shala të jetë kandidat për kryetar të ri të LDK-së pasi plotëson shumë kërkesa dhe pritje. Po presim nga ai që të na thotë fjalën dhe të deklarohet. LDK ka shumë emra, por ka shumë pak kandidatura, por ka shumë emra që mund të jenë kandidatë dhe të zgjedhur, por deri sot ka shumë pak konfirmime”, tha ai në Syri TV.

Haziri ka riktheksuar se kryesia e LDK-së ka gabuar duke e përjashtuar Vjosa Osmanin nga partia.

“Po, e kam thënë me kohë (se e vlerësoj gabim sjellën e Kryesisë në raport me Vjosa Osmanin). Jo nuk kemi filluar ende ndonjë komunikim për rikthimin e Vjosa Osmanit, pasi po presim përzgjedhjen e kryetarit të ri”, tha ai.

Ndryshe, më 14 mars pritet të mbahet Kuvendi zgjedhor i LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Isa Mustafës./Insajderi.com