Haziri kërkon unitet politik për dialogun

Haziri kërkon unitet politik për dialogun

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se partia të cilën e përfaqëson, do t’i trajtojë kërkesat që kanë të bëjnë me çështje në interes të vendit, siç është tema e dialogut me Serbinë, pavarësisht që ato vinë nga pushteti, transmeton Insajderi.

Ndonëse njofton se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga kryeministri Albin Kurti, Haziri thotë se për çështje të tilla nevojitet unitet dhe duhet gjetur formula që mund t’i bashkojë në tryezë partitë e mëdha politike në Kosovë.

Haziri i kujton Kurtit se në kohën sa ai ishte në opozitë, nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri sa i përket dialogut.

“LDK ende nuk e ka diskutuar sepse ne nuk kemi pasur asnjë lloj ftese deri tash. Ne me qeverinë Kurti e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se do të jemi opozitë, dhe qëndrimi ynë opozitë është qëndrim i qartë si kristali në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të trajtojmë kërkesat që do të vinë nga ana e kryeministrit për t’i parë nga afër por çdo kush duhet me pas parasysh se kryeministrit sot në detyrë nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri në të kaluarën për procesin e dialogut dhe përfshirjen në një konsensus eventual. Do të mundohemi, dhe besoj do të duhet të mundohemi me i lënë inatet politike anash, me qenë racional, në interesa kombëtare, të bashkuar dhe me u përballë me një proces i cili nuk do të jetë i lehtë, i cili është detyrë e qeverisë në radhë të parë”, thotë Haziri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar ditë më parë se do t’i ftojë drejtuesit e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, para se ai të rifillojë në qershor. /Insajderi.com