Hedhet poshtë neni që diskriminon veteranët që jetojnë jashtë Kosovës

Hedhet poshtë neni që diskriminon veteranët që jetojnë jashtë Kosovës

Një nen i Ligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përjashton veteranët luftëtarë që jetojnë në vende jashtë Kosovës nga marrja e pensionit të veteranit, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kushtetuesja u ka dhënë të drejtë deputetëve opozitarë të cilët e kanë ngritur këtë çështje, por nuk ka gjetur parregullsi edhe në dy nene të tjera të kontestuara të ligjit që u miratua në fund të vitit 2016.

Neni 3, paragrafi 5, ku thuhet se “veterani luftëtar i UÇK-së, që jeton në shtet tjetër, gëzon të drejtën në beneficione të tjera sipas këtij ligji, por nuk gëzon të drejtën në pension,” i ishte shtuar si ndryshim ligjit paraprak për veteranët, që në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar në vitin 2014.

Por, përjashtim nga ky rregull, sipas ligjit të ri për veteranët, bënin veteranët luftëtarë që jetojnë në vendet fqinje.

Për këtë arsye, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, që kishte iniciuar rastin, së bashku me 23 deputetë të tjerë opozitarë, kanë pretenduar se “mohimi i realizimit të të drejtave […], duke u bazuar vetëm në vendqëndrimin e tyre, është diskriminues”.

Lidhur me pretendimet e Dërgutit dhe të tjerëve, Kushtetuesja ka vlerësuar se veteranët që jetojnë në ndonjë vend jashtë Kosovës por jetojnë në vende fqinje, dhe ata të cilët jetojnë në vende të tjera, praktikisht janë në një pozitë të njëjtë: të dy palët ndodhen jashtë Kosovës.

Andaj, sipas kushtetueses, veteranët që jetojnë në vende të tjera, por jo fqinje të Kosovës, kufizohen nga e drejta e tyre e pensionit.

“Të dyja palët, edhe veteranet e UCK-se qe jetojnë ne vendet fqinje dhe veteranet e UCK-se që jetojnë jashtë vendit, por jo në vendet fqinje, janë në situatë analoge ose në situatë relevante të ngjashme: ata nuk jetojnë në Kosovë”, thuhet në vendimin e kushtetueses të publikuar në faqen e këtij institucioni.

“Prandaj, Gjykata konkludon se ekziston një dallim në trajtimin e veteranëve të UCK-se që janë në një situate analoge ose në situate relevante të ngjashme, e cila përben një kufizim në të drejtën e tyre për pension”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për Veteranët e UCK-së ishte miratuar fillimisht në prill të vitit 2014, por më 28 dhjetor të vitit 2016,  Ministria e Mirëqenies Sociale kishte dorëzuar në Qeveri projektligjin që do të ndryshonte ligjin e miratuar në vitin 2014.

Vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin dhe e dorëzoi në Kuvendin e Kosovës, ku u miratua më 30 dhjetor, në orët e vona të mbrëmjes.

Reformimi i skemës së pensioneve të veteranëve ishte nxitur nga këshillat që Qeveria e Kosovës kishte marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vlerësonte se buxheti i Kosovës do të mund të rëndohej deri në 100 milionë euro me pagesat ndaj veteranëve kur të bëhet llogaritja përfundimtare e numrit të veteranëve të luftës.

Numri i personave që kishin aplikuar për statusin e veteranëve kishte kaluar bindshëm pritshmërinë e autoriteteve kosovare.

Megjithatë, kushtetuesja ka vendosur që dy nenet tjera për të cilat deputetët opozitare janë ankuar – nenet 4 dhe 5 – janë në përputhje me kushtetutën e vendit./Insajderi.com