Helmimi i opozitarit rus: Trump thotë se nuk ka parë prova

Helmimi i opozitarit rus: Trump thotë se nuk ka parë prova

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar të dënojë Rusinë për helmimin e figurës së opozitës Alexei Navalny, duke thënë se ai nuk ka parë prova.

Ai tha se çështja ishte “tragjike”, por nxiti gazetarët të përqendroheshin tek Kina, e cila sipas tij ishte një kërcënim më i madh për botën sesa Rusia.

NATO dhe Gjermania thonë se ka “provë pa dyshim” se Z. Navalny u sulmua me një agjent nervor Novichok, raporton BBC, transmeton Insajderi.

Ekipi i tij thotë se ai ishte helmuar me urdhër të Kremlinit. Rusia e ka mohuar këtë.

Të shtunën, Ministria e Jashtme e Rusisë, sugjeroi që nëse një agjent nervor i tipit Novichok ishte përdorur vërtet, ai nuk do të kishte origjinën domosdoshmërisht në Rusi.

Opozitari rus, Navalny – një aktivist anti-korrupsion i cili ka qenë prej kohësh fytyra më e spikatur e kundërshtimit të presidentit rus, Vladimir Putin, -është në gjendje kome në një spital të Berlinit pasi ishte transferuar atje nga Siberia, ku ai u sëmur. /Insajderi.com