Heshtja e Thaçit pas rritjes së taksës për produktet e Serbisë

Heshtja e Thaçit pas rritjes së taksës për produktet e Serbisë

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës vendosi që ta rrisë taksën për produktet serbe nga 10 në 100%.

Kjo është bërë me kërkesën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, por që u përkrahë nga gjithë kabineti qeverisës.

Haradinaj në një konferencë për media, pati edhe një thirrje për të gjithë ata që importojnë mallra nga Serbia.

“Tani edhe tregtarët e mëdhenj edhe ne interes e kemi njeriun e Kosovës; konusmatorin dhe qytetarin e këtij vendi. Këto veprime që kemi marrë janë në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës. Besoj që na kuptojnë edhe tregtarët që kjo taksë ndaj Serbisë nuk është kundër tyre, por e kemi pas detyrim ta vendosim këtë taksë”, është shprehur Haradinaj.

Përderisa ky vendim i qeverisë u mbështetë nga pozitë e opozitë në vend, për të ende nuk ka reaguar presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ky i fundit nuk e ka thënë asnjë fjalë për rritjen e taksës ndaj produkteve serbe.

I pyetur nëse është konsultuar me presidentin për marrjen e këtij vendimi, Haradinaj tha se një gjë të tillë nuk e ka bërë, pasi presidenti është jashtë vendit.

“Nuk kam mbërri me bisedu me presidentin pasi është jashtë shtetit, por kam folur me Veselin e Limajn”, deklaroi Haradinaj në T7.

Ndryshe presidenti e kishte kritikuar edhe taksën e parë prej 10% që e kishte vendosur qeveria. /Insajderi.com