Hetimet për shkarkimin e Presidentit, votim këtë javë në Kongres

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka caktuar ditën e enjte për votimin. Në një letër drejtuar ligjvënësve, ajo shprehet se kështu "do të eliminohen dyshimet" mbi procesin.

Hetimet për shkarkimin e Presidentit, votim këtë javë në Kongres

Pelosi shprehet se rezoluta do të “konfirmojë hetimin aktual; do të përcaktojë procedurat për seanca dëgjimore që janë të hapura për popullin amerikan dhe për transferimin e evidencës tek Komisioni për Gjyqësorin, si dhe do të parashtrojë të drejta ligjore gjatë këtij procesi për presidentin dhe avokatët e tij”. Presidenti Donald Trump dhe republikanët e kanë quajtur të paligjshëm hetimin pasi po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe nuk u votua ndonjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sot, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojnë dëshminë e Kolonel lejtnant Alexander Vindman, i cili punon në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në një deklaratë me shkrim të dorëzuar paraprakisht, ai thotë se ishte ndër personat që dëgjuan telefonatën e 25 korrikut, gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkoi një “favor” Presidentit Zelenskiy. Ai kërkoi hapjen e hetimeve në Ukrainë për ndërhyrje të këtij vendi në favor të demokratëve në zgjedhjet amerikane të viti 2016, si dhe për akuzat për korrupsion të kandidatit demokrat për president, Joe Biden, dhe djalit të tij, Hunter, i cili punonte për një kompani gazi natyror në Ukrainë.

Kolonel Lietnant Vidman shprehet se “u shqetësova nga telefonata. Nuk mendoj se ishte e përshtatshme t’i kërkohej një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan, si dhe u shqetësova për pasojat ndaj mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën”./voa.