Hidhen poshtë mocionet paraprake ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Hidhen poshtë mocionet paraprake ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Mocionet paraprake ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë hedhur poshtë, njofton Insajderi.

Mbrojtja e Gucatit dhe ajo e Haradinajt kanë dorëzuar mocionet, duke pretenduar në mangësi në aktakuzën kundër tyre dhe po ashtu se nuk e njohin juridiksionin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka hedhur poshtë mocionet paraprake të Gucatit dhe Haradinajt.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se aktakuza e konfirmuar përcakton me qartësi dhe specifikë të mjaftueshme faktet që mbështesin akuzat dhe krimet. Kundërshtimet e mbrojtjes ndaj formës së aktakuzës së konfirmuar janë refuzuar në përputhje me këto rrethana. Për këtë arsye Gjykatësi i Procedurës paraprake refuzon mocionin paraprak të Gucatit dhe atë të Haradinajt”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa akuzohen për “pengim të drejtësisë”. /Insajderi.com