Zv/kryeministri Haki Abazi, disa ditë më parë ka pasur një telefonatë me Gani Gecin, njeriun që ka pranuar të ketë kryer dy vrasje, lidhur me shkarkimin e Agim Veliut, ish-ministrit të Punëve të Brendshme.
Ish-deputeti i LDK-së Gani Geci, ka treguar sot se kishte folur në telefon me Haki Abazin, numrin tre të qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila erdhi në pushtet me premtimet për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Geci në lidhje direkte për Rtv Dukagjini ka bërë më dije që menjëherë pas shkarkimit të Veliut ka telefonuar Haki Abazin.
Në bisedën e tyre, Geci thotë se e ka pyetur Abazin se si është marrë vendimi për shkarkim të Veliut, e që sipas tij as zëvendëskryeministri ska qenë në dijeni.
“A e shkarkuat Agim Veliun a? A doni me rrëzu Qeverinë a qysh?”, ka deklaruar Geci ta ketë pyetur Haki Abazin, teksa ky i fundit, sipas Gecit, i ka thënë atij se “nuk është në dijeni”.
“Prej mediave e kanë kuptu edhe ata”, u shpreh Geci.
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje erdhën në pushtet me premtimet për luftimin e korrupsionit.
Por, për zëvendëskryeministrin Abazi nuk ka qenë problem të flasë në telefon me të dënuarin për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, si dhe njeriut që kishte pranuar ta ketë kryer vrasjen e Abedin Rexhës.