Pavarësisht ofendimeve, kryeministri renditet në mesin e liderëve më efektiv në Facebook

Pavarësisht ofendimeve, kryeministri renditet në mesin e liderëve më efektiv në Facebook

Përkundër gjuhës së urrejtjes, ofendimeve, fyerjeve dhe në disa raste edhe fshirjes së statuseve në profilin e tij të Facebook-ut, Kryeministri i Kosovës është futur në listën e 10 liderëve botëror më efektiv në rrjetet sociale.

Një raport i përpiluar nga platforma e rrjetit social Twitter e cila studion “cicërimat” e liderëve botëror – “Twiplomacy” – dhe faqja e internetit “Burson-Marsteller” shfaq Mustafën si njërin nga liderët më interaktiv.

Mustafa ndodhet në venin e 10 të renditjes, sa i përket ndërveprimit të kryeministrit kosovar në rrjetet sociale, në raport me numrin e ndjekësve që ka në Twitter dhe Facebook.

E për këtë arritje të Mustafës, krenohet kabineti i zyrës së tij. Këshilltari i Mustafës, Sokol Havolli e ka shpërndarë me krenari renditjen e raportit të “Twiplomacy” dhe “Burson-Marsteller”, raporton Insajderi.

“Liderët Botëror në Facebook. Kryeministri Isa Mustafa në mesin e 10 burrështetasve më efektiv në facebook për vitin 2016”, ka shkruar Havolli sot në Facebook.

nishan

Megjithatë, përkundër aktivitetit të shtuar të kryeministrit të Kosovës, raporti i përpiluar nga “Twiplomacy” nuk ka bërë matje të cilësisë së statuseve apo “cicërimave” që Mustafa ka shpërndarë në profilet e tij të rrjeteve sociale.

Mustafa, që prej fillimit të përdorimit të rrjetit social Facebook, është shquar për ofendime e fyerje të rënda, për të cilat shpeshherë edhe është penduar.

Më 27 gusht të vitit 2015, kryeministri e kishte ofenduar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Mustafa e kishte quajtur “gomar të Zajednicës” Kurtin, pasi që Kurti kishte thënë më parë se Zajednica është mundësuar “nga vëllezërit e Thaçit dhe djemtë e Isës”.

“A e di kush, cka ka ky gomari i Zajednices me djemt e mij??? Te drejtohet kah une Ukshi se e ka humbur rrugen”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.

Vetëm disa orë më vonë, Mustafa ishte penduar për atë ofendim që i bëri Kurtit. Kishte thënë se postimin ku e ofendonte ish-liderin e VV-së nuk e kishte shkruar ai.

Historia e pendimeve të kryeministrit me postimet e tij në rrjetet sociale, kishte shkuar aq larg, sa e akuzonte kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, për viktimat serbe në liqenin e Radoniqit në Deçan.

Mustafa, në tetor të vitit 2016, ia përkujtonte Haradinajt aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë më 4 mars të vitit 2005.

isa

Në aktakuzë thuhej se ish-komandanti i UÇK-së kishte vrarë shqiptarë e serbë, të cilët më pas i kishte hedhur në liqenin e Radoniqit.

“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën’… ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, kishte shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Por vetëm një ditë më pas, kryeministri kishte fshirë postimin ku i përkujtonte Haradinajt pjesë nga aktakuza që ishte ngritur ndaj tij në Hagë.

qisa

Ai pretendonte se atë deklaratë nuk e kishte bërë ai, por se dikush ia kishte sulmuar llogarinë e tij në Facebook dhe kishte bërë postimin e fundit – për Haradinajn – që ai e fshiu.

“Pak më parë më është dashur ta fshijë një postim në llogarinë time Facebook, të postuar pa kontrollin tim”, ishte shprehur Mustafa.

Edhe në tetor të vitit 2014, Mustafa kishte publikuar një status rreth një deklarate të Armend Zemajt, e që më pas e kishte fshirë.

Armend Zemaj kishte deklaruar se në Qeveri janë futur individë që janë përfshirë në krime dhe vrasje të shqiptarëve e të serbëve në Kosovë. E për këtë kishte reaguar edhe kryeministri Mustafa me një status të cilin më vonë e kishte fshirë. /Insajderi.com