Për një njeri normal në vitin 2018, nevoja për të shkuar në një debat për të mbrojtur liritë bazike të njeriut, sikurse orientimi seksual, do të ishte një gjë qeshar" />

Unë, dëshmitari i degjenerimit

Prezenca në një emision televiziv ku së bashku me këngëtarin Genc Salihu e psikiatrin Sami Rexhepi, kam folur për të drejtat e komunitetit LGBTI shkaktoi mijëra komente fyese në transmetim live në Facebook. Pas emisionit, një video satirike po ashtu me kryepersonazh vetën, u përdorë si argument nga kundërshtarët dhe faqet homofobike në Facebook. Kjo është një “troll” i vërtetë, edhe për mua. Një gazetar i urryer që tregonte një të vërtetë dhe një aktor i dashur që tregonte një histori të trilluar.

Unë, dëshmitari i degjenerimit

Për një njeri normal në vitin 2018, nevoja për të shkuar në një debat për të mbrojtur liritë bazike të njeriut, sikurse orientimi seksual, do të ishte një gjë qesharake. Për mijëra “kosovarë online” kjo është një gjë për të cilën duhet gjithsesi të fyhesh, shahesh, e kërcënohesh.

Krejt teoritë ku mbështeten komentuesit kundër Paradës dhe komunitetit, janë të bazuara në disa storje të trilluara dhe zakonisht dënimet që këta njerëz i japin për ata që kërkojnë të drejta të barabarta janë “varja” ose “humbja e fares”. Këtë e kam përjetuar shumë herë por së fundmi edhe në emisionin “Pressing” në T7, në transmetimin direkt në Facebook, me 10 tetor pas mbajtjes së paradës së komunitetit LGBTI që festuan e kërcyen përgjatë një ore në sheshet e vogla të Prishtinës.

Asnjë nga komentet nuk përbëjnë ndonjë shqetësim e as si ndjej si kërcënim në punën time si redaktor në Insajderi, përkundrazi ato i lexoj për t’i përdorur në punën time edhe si gazetar satirik. Gati shumicën e komenteve që i kam lexuar, nuk ka pasur diçka të re. Të tilla komente kam lexuar edhe me qindra herë nga përdorues të ndryshëm, në linqe të ndryshme e në faqe të ndryshme, saqë është proces i mërzitshëm. Shto faktin që gjatë ditës, si gazetar të bie që të shokohesh edhe me deklarata fyese me plot urretje të pabazuara askund, sikurse qëndrimi i poetës dhe anëtares së VV-së, Donika Gashi, dita mund të jetë një “ditë tmerruese”.

Është e lodhshme që të jetosh në një vend ku shtypja e tjetrit është bërë standart i të jetuarit duke u shndërruar në një normalitet, që e keqpërdorin të gjithë, por në të njejtën kohë, një tag në Facebook mund ta ndryshoj komplet ditën. Madje një tag mund ta kjartësoj ndonjë paqartësi që deri atëkohë nuk bënte sens. Të tilla gjëra pa sens ka shumë në këtë vend.

Nuk ka sens me pas kaq shumë urrejtje e thirrje për dhunë veç pse një djalit a burrit po i pëlqen një djalë a burrë tjetër, apo një vajzë a grua tërhiqet nga një vajzë/grua tjetër? Nuk ka sens sepse të gjithë ne, qofshim heteroseksualë, geja, lezbike, transgjinorë, bisexualë, ndajmë të njejta shqetësime. Jemi të papunë, të vafër e të izoluar. Jetojmë në një shtypje, ku dhuna ndaj grave normalizohet e nuk penalizohet. Ne të gjithë e ndajmë të njejtën tragjedi, andaj nuk ka sens që të na pengojë dashuria? As fakti se njerëzit dalin të marshojnë e kërcejnë me muzikë, nja dy orë në shesh, 1 herë brenda një viti? Nuk ka sens, urrejtja kaq e madhe për një vallëzim nëpër shesh?

Në krejt këtë “non sens” shtet, një tag, mund t’i japë sens gjithçkaje. Një tag në një video storje satirike që ishte postuar si e vërtetë, disa minuta pasi kishte përfunduar emisioni me ato mijëra komentet live, i dha sens krejt kësaj çmendurie. 

Storja 5 minutëshe  me personazh një dëshmitarë me identitet të fshehur që i ka shpëtuar “Kampit të Dëgjenerimit” ishte shpërndarë fillimisht në një faqe “presheva” dhe më pas në një dhjetra faqe e profile tjera. 

Kampi i degjenerimit… ???

Posted by Presheva.com on Wednesday, 10 October 2018

Për 24 orë është shpërndarë nga më shumë se 500 “shqiptarë online”, si një lajm të vërtetë. Me mijëra komente të tjera, tashmë fyese për Evropën e cila sipas dëshmitarit “ka organizuar kampe ku i ka degjeneruar të rinjtë” që më vonë janë bërë “geja, drogaxhi e kllabera”. U gjet e vërteta: like, comment, share.

Pikërisht këtu të gjitha situatat pa sens, marrin kuptim. Mendësia e njejtë e njerëzve të irrituar nga fakti se bëja thirrje për të mos ua ndaluar njerëzve se kënd ta duan ose me kënd të rrinë, të bëjnë seks apo të kërcejnë, e shpërndajnë videon “Kampi i Degjenerimit” si fakt për të argumentuar se në Kosovë, tek shqiptarët “nuk ka pas geja”.

Personazhi i pa identifikuar dhe me zë të ndryshuar në atë storje jam unë, i njejti që ishte në emision. Shkurt e shqip: njerëzit që kanë komentu me urretje ndaj deklaratave te mija për të drejtat e njeriut, e shpërndajnë si të vërtetë të madhe një video ku unë në mënyrë satirike e përdori një “storje” që shumicës në Kosovë u pëlqen ta besojnë: Evropa i ka pru gejat?

E mbaj mend, realizimin e kësaj video satirike së bashku me Shukin në emisionin që transmetohej në RTV Dukagjini, e kemi realizuar si një fore për temën e një dokumentari që fliste për një kamp në Kaçanik, ku janë rekrutuar të rinjt për ISIS. Storja jonë, që e kemi xhiruar në Gërmi, ka folë për kampe të organizuara nga ndërkombëtarët me të rinjtë kosovar që i kanë bërë “geja”. Jemi pas mundu me lëshu fore të zakonshme, klishe që me u kuptu se nuk është e vërtetë. E kemi vendosë edhe një sqarim në fund se storja dhe personazhi janë fiktiv, por në të gjitha versionet e videove të “Kampit të Degjenerimit” të shpërndara në Facebook, e kanë të prerë, atë sqarim.

Të pa interesuar për realitetin ne më parë vendosim të besojmë në një storje. Për gjithçka e kemi nga një storje por asnjë aftësi për t’i kuptuar fakte shkencore sikurse ajo që homoseksualizmi nuk është sëmundje dhe se ajo ka qenë e pranishme gjatë krejt njerëzimit. Shumica në këtë vend besojnë më para që Evropa e ka për synim ta degjenerojë rininë e Kosovës dhe këtë e ka bërë përmes kampeve? Sa i pameçëm duhesh me kon me besu një histori të tillë me gjithë këto fakte që ta dëshmojnë të kundërtën?

Faktet nuk kanë rëndësi në një shoqëri të pamençur dhe besimi në storje e jo në realitet, bëhet normale. Kjo vërehet edhe tek komentet që kanë bërë “kosovarët online” kur kanë shpërndarë “storjen hulumtuese”, “Kampi i Degjenerimit” ku unë luaj goxha dobët rolin e një të ikuri nga ky kamp që akuzon ndërkombëtarët për degjenerim e të rinjve kosovar.  I kam selektuar dhjetra komente e qëndrime në shpërndarje për të vënë në pah më mirë, atë që do të duhej ta shkruaja e elaboroja shumë gjatë.