Historia mbresëlënëse e kosovarit në Austri – ballafaqohet me hajnat dhe merr mirënjohje nga Policia

Historia mbresëlënëse e kosovarit në Austri – ballafaqohet me hajnat dhe merr mirënjohje nga Policia

Hajnat e arratisur, një ndjekje, një veturë e shkatërruar dhe një arrestim. Ishte një aksion i rrallë dhe për këtë gjë shqiptari Zijadin Rexhaj mori një mirënjohje nga komanda e policisë së qarkut në Bruck të Austrisë.

Por, çfarë ndodhi saktësisht? Kujdestari shqiptar i shkollës në Schwadorf, ka qenë duke ngarkuar pije në veturën e tij para hyrjes kryesore të ndërtesës.

Papritmas, një zhurmë në hapësirën e magazinimit të biçikletave e hutoi. Ai u nis për në depo dhe hasi në dy persona që po largoheshin me biçikleta në drejtim të rrugës “Obere Umfahrungsstrasse”.

Ai menjëherë hipi në veturë dhe u shkoi prapa, duke u përballur me të dy personat. Njëri prej tyre pohoi se vetëm po provonin të bënin një xhiro. Pak kohë më vonë, ata u larguan me biçikleta. Zijadini përnjëherë i humbi nga shikimi, por më pas pa një veturë me autotarga sllovake që po kthente në kënd, që duhej të ishte parkuar pranë pishinës së mbuluar.

“Dashta ta bllokoj veturën”, tha Zijadini, i cili e rrëfeu ngjarjen në bisedë me “NÖN”, transmeton Shtegu.com. Mirëpo, qëllimi i tij nuk pati sukses.

Hajnat e shtypën gazin me sa fuqi që kishin dhe u arratisën. Pasoi një ndjekje nga vendngjarja drejt Enzersdorfit. Të dy personat kaluan në dritë të kuqe dhe kur arritën në rrethrrotullim në drejtim të Margarethen am Moos, ata e morën rrugën e drejtë, dmth. nëpër B10 drejt Bruck. Zijadini, i cili paraprakisht e kishte alarmuar policinë me telefon dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta, iu shkonte vazhdimisht hajnave prapa.

Kur të dy autorët u kthyen për në Stixneusiedl dhe u bindën se nuk do t’i shmangeshin Zijadinit, ata papritmas iu kthyen dhe nxituan në drejtim të tij. “M’u desh të ktheja në Acker”. Kujdestari i guximshëm i shkollës nuk e lejoi përshtypjen se po frikësohej. Ai u kthye dhe udhëtimi në B10 për në Bruck vazhdoi. “Ata madje qarkulluan edhe nëpër shrigje të biçikletave”, përkujton çastet Zijadini.

Një automjet policor që po afrohej, edhe më tej nuk po mund t`i ndalonte dy hajnat, por në rrethrrotullimin e dytë, pak para Bruck, vetura ka mundur të ndalohej dhe autorët të prangosen.

Për ndihmën në kapjen e dy hajnave, kujdestarit shqiptar të shkollës tashmë i është dhënë një mirënjohje policore. Komandantja e policisë së qarkut, Sabine Zentner personalisht e falënderoi reagimin e shpejtë dhe guximin moral të Zijadinit, duke i dhënë mirënjohjen e falënderimit.

Pas rrëfimit të ngjarjes dhe dëmtimin e raportuar të veturës, Zijadini shpreson se sigurimi i tij do t`i mbulojë shpenzimet.