fbpx

Historiku i rrahjeve të deputetëve në Kosovë

Historiku i rrahjeve të deputeteve në Kosovë, përfshinë rrahje në fushtata, në studio televizive e kuvend. Azem Syla, Gani Geci, Rexhep Selimi, Latif Gashi, Bekim Haxhiu, Florin Krasniqi, Frashër Krasniqi, Milaim Zeka, Xhavit Haliti, Arben Gashi, Gani Dreshaj, Xhelal Svecla janë ish-deputetët gjak nxehtë  e problematik që janë përfshirë në rrahje fizike

Historiku i rrahjeve të deputetëve në Kosovë

Debati i nxehtë dhe me plot fyerje, mes Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt, eskaloi në përplasje fizike mbrëmë pas emisionit në T7. Abazi deklaroi se u sulmua fizikisht nga Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, menjëherë pasi që doli nga studio televizive. Molliqaj pas kësaj, deklaroi se

Policia doli në vendin e ngjarjes, e në stacion policor për deklaratë u shoqëruan Abazi, Molliqaj e Rexhep Hoti.

Ky është rasti i fundit i rrahjes mes kandidatëve për deputet por jo i vetmi, shkruan Insajderi.

Në tetor të vitit të kaluar, deputetët Frashër Krasniqi i PSD-së dhe Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes kanë pasur një përplasje fizike pas emisionit Rubikon në KTV, jashtë ndërtesës së televizionit.

Me këtë rast janë marrë policia edhe prokuroria.

Mirëpo kjo nuk ishte hera e parë që Frashër Krasniqi përfshihej në rrahje, shkruan Insajderi.

Në një përplasje fizike ishte përfshirë edhe gjatë debatit zgjedhor live në studion e televizionit Klan Kosova, para dy viteve kur e pati goditur Milaim Zekën.

I tërë emisioni ku ata të dy ishin mysafir, ishte shoqëruar me sharje, e fyerje të rënda e që eskaloi në dhunë fizike mes tyre.

Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ishin nevojitur më pak së një muaj që të ngritë aktakuzë ndaj dy deputetëve. Prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.

Me 18 maj të vitit të kaluar, Xhavit Haliti ish deputeti i PDK-së, e pati goditur me bërryl deputetin e LDK-së Arben Gashin, në sallën plenare gjatë një seance pasi që fillimisht ata kishin përdorur fjalë të ashpra e akuza  mes veti. Aty ishte përfshirë edhe ish-deputeti I AAK-së, Gani Dreshaj duke i dalë në ndihmë Xhavit Halitit.

Në maj të këtij viti ndaj, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj Halitit e Dreshajt.  Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “kanosje”. Prokuroria, bashkë me aktakuzë, ka bërë propozimin që ndaj tyre të shqiptohet urdhër ndëshkimor, në dënim me gjobë.

Një rrahjet tjetër pati ndodhur edhe në vitin 2013, gjatë një tubimi që mbahej në Skenderaj.

Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe ish-deputeti i LDD-së, Gani Geci, kishin qenë protagonistë të incidentit. Të përfshirë kishin qenë edhe truprojat dhe shoqëruesit e tyre. Policia pati konfirmuar se në këtë incident ka pasur ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri.

Një tjetër rrahje brenda objektit të kuvendit pati ndodhur edhe më herët, shkruan Insajderi.

Në vitin 2012, në hollin e kuvendit ishin rrahur mes vete deputeti i PDK-së, Latif Gashi dhe ai i Vetëvendosjes Rexhep Selimit. Përveç tyre në përleshjen fizike ishin përfshirë edhe Bekim Haxhiu dhe Florin Krasniqi .

“Provokimit verbal, mu dashtë t’i përgjigjem fizikisht. Ndonëse e kuptoj rolin e një deputeti, por opinioni e di që eksponent të SHIK-ut në cilësinë e sigurimit dinë të provokojnë njerëz”,  pati thënë Selimi lidhur me këtë incident.

Seanca të tensionuara ishin mbajtur në kuvendin e Kosovës, sidomos gjatë kohës kur diskutohej marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi dhe ajo për Asociacionin e Komunave serbe.

Në to deputetët e opozitës, hidhnin vezë e gaz lotsjellës.

Një seancë e tensionuar ishte mbajtur në kuvend edhe në mars të vitit 2018.

Fjalimi i ish- ministres Dhurata Hoxha, për rastin “Dehari”, pati nxitur reagime të ashpra tek deputetët e VV-së. Me tone të ashpra veçanërisht kanë komunikuar deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu e deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Një sulm i mundëshëm fizik mes tyre u parandalu nga kolegët e tyre. /Insajderi.com