fbpx

Hong Kongu në tension për shkak të ligjit për ekstradim

Autoritetet i mbyllën disa zyra qeveritare në rrethin financiar të Hong Kongut, pas dhunës më të keqe që ky qytet ka parë në disa dekada.

Hong Kongu në tension për shkak të ligjit për ekstradim

Mëngjesin e së enjtes, turmat përreth selisë së qeverisë kanë qenë të shpërndara.

Protestuesit janë të zemëruar me planet e autoriteteve për të miratuar një ligj, që do të lejonte ekstradimin në Kinë.

Sipas tyre, ligji do t’i mundësojë Kinës të shënjestrojë kundërshtarët politikë në rajon.

Pavarësisht kundërshtimeve të mëdha, qeveria nuk është zmbrapsur.

Megjithatë, të mërkurën, Këshilli Legjislativ i Hong Kongut e ka shtyrë leximin e dytë të ligjit dhe nuk është e qartë se kur do të ndodhë.

Në përpjekje për t’i parandaluar ligjvënësit që të marrin pjesë në debat, dhjetëra mijëra aktivistë i kanë bllokuar rrugët kryesore rreth selisë qendrore të qeverisë.

Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Pas orëve të kaosit, turmat janë shpërndarë gjatë natës.

Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch e ka akuzuar policinë për përdorim të “forcës së tepruar” kundër protestuesve.

Sipas disa njoftimeve, 72 njerëz janë plagosur në dhunë.

Hong Kongu i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.

Sipas parimit të ashtuquajtur “një shtet, dy sisteme”, Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.

Por, Pekini ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.